Edicioni i pestë i Maratonës së Tiranës shënoi një numër të madh garuesish me rreth 2500 persona, ku 1500 ishin nga Shqipëria dhe 1000 nga vende të ndryshme të botës. Maratona e ndarë në katër kategori, Maratona 42 K, Gjysmë Maratona 21 K, Tirana 10 K dhe kategoria “Edhe ne”, shpallur për secilën kategori me nga 3 fitues. Pistoleta sinjalizoi fillimin e vrapimit dhe sheshi Skënderbej u drodh nga vrapuesit. Vullnetarët tanë shoqëruan pjesëmarrësit We Too gjatë vrapimit dhe u siguruan që gjithçka të ishte në rregull. Ata fillimisht u njohën me ta dhe patën kohë të shoqëroheshin para fillimit të garës dhe u takuan gjithashtu me drejtuesin e organizatës “Special Olympics Albania”. Ishte një përvojë ndryshe për vullnetarët tanë, ku ata morën një shembull frymëzues të guximit dhe vendosmërisë. Pas gjithë kaosit që bota kaloi, evente të tilla i bëjnë gjërat pak më të gjalla dhe emocionuese për zemrën e njerëzve. Dhe duke parë gjithë këta të rinj që përpiqeshin të ndihmonin vullnetarisht, ndjehej se njerëzimi nuk mund të humbiste kurrë.