Tirana Qyteti Europian I Sportit

Tirana Qyteti Europian I Sportit

Ky projekt synon që me mbështetjen e Bashkisë Tiranë të realizojë një aplikim të suksesshëm për titullin “Qyteti Europian i Sportit 2023’’. Procesi i aplikimit është një proces i cili ka disa faza dhe kërkon një vëmendje të veçantë. Për këtë arsye ky projekt synon realizimin cilësor të gjithë fazave të aplikimit duke filluar në krijimin e Bid Book, lobimin në strukturat e ACES dhe pritjen e një grupi vlerësimi në qytetin e Tiranës. Projekti nën koordinimin e Shoqatës zhvilloi shpalljen e kandidaturës për median dhe aktorë të sportit, ekonomisë dhe rinisë në një tryezë të rrumbullakët. Eventi u mbajt në Tetor dhe pati të ftuar, përfaqësues të Federatave të Sportit, organizata jo-fitimprurëse, sportistë me tituj europian dhe përfaqësues të instituioneve sportive në Europë. Tryeza synonte të zhvillonte dhe të ngrinte diskutime mbi ҫështje me rëndësi për sportin në vend. Aktorët dhe të ftuarit sollën analizën e tyre mbi mundësitë dhe potencialin që Tirana zotëron për të zhvilluar evente dhe shërbime sportive të një niveli europian. Tryeza përfshiu dhe Kryetarin e Bashkisë, i cili shprehu në emër të Bashkisë suportin e vazhdueshëm mbi kandidaturën e Tiranës. Konkluzionet dhe pikat për elaburim të ngritura, krijuan bazën e përmbajtjes së BidBook. Ekspertiza dhe sugjerimet e aktorëve të ftuar, përbënin një material me vlerë për ndërtimin e këtij dokumenti. New Vision u sigurua të organizonte vizitën e Komisionit Vlerësimi të përzgjedhur për Tiranën. Komisioni përmbante dy delegatë të ACES, drejtorin e kompanisë partnere CBBS, sekretari i përgjithshëm dhe presidenti të cilët realizuan një event dy-ditor. Vizita përmbante një agjendë të pasur tek vendndodhjet kryesore të Tiranës, ku Komisioni vlerësoi gjendjen e tyre dhe mundësitë që këto mjedise ofronin për shoqërinë. Vizita e Komisionit u shoqërua me një Konferencë për Shtyp me anëtarët e Komisionit, të cilët deklaruan kandidaturën, procesin e aplikimit dhe ekspertizën e tyre mbi sportin në Tiranë. Në këtë konferencë mediatike, u prezantuan mundësitë që projekti ofron përgjatë një viti me fitimin e titullit.